Gjykata Speciale vendos: Hashim Thaçi mbetet në paraburgim, rreziqet konsiderohen ende të larta

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Sipas vendimit, bazat ligjore për mbajtjen e tij në qendrat e paraburgimit mbeten të vlefshme edhe pas shqyrtimit të fundit.

Gjykata argumenton se rreziqet e përcaktuara në nenin 41 – mundësia e arratisjes, ndërhyrja në procesin gjyqësor dhe kryerja e veprave të reja penale – janë ende të pranishme dhe nuk mund të minimizohen me masa më të lehta se paraburgimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar këmbënguli se asnjë kusht alternativ lirimi nuk garanton shmangien e këtyre rreziqeve.

Sipas njoftimit të saj, “paraburgimi i vazhdueshëm i z. Thaçi mbetet proporcional, duke marrë parasysh kohën e kaluar, dënimin potencialisht të gjatë dhe progresin e procedurave në çështje”.

Ndërkohë, mbrojtja kërkoi një rivlerësim duke theksuar se pas përfundimit të fazës së provave në procesin kryesor të vitit 2020, kanë ndryshuar rrethanat.

Megjithatë, gjykatësi konstatoi se nuk ka ndryshime të mjaftueshme për të justifikuar lirimin e ish-presidentit në këtë fazë. Gjykata gjithashtu ka caktuar afate të reja procedurale, sipas të cilave Thaçi mund të paraqesë reagimet e tij deri më 27 janar 2026.

Hashim Thaçi aktualisht përballet me dy procese të ndara në Hagë: një për krime lufte që ka nisur në vitin 2020 dhe një tjetër për pengim të drejtësisë.