Deklaratë tronditëse e xhaxhait të autorit të vrasjes së gjyqtarit: “Nëse dënojnë nipin, do përballen me të njëjtën gjë”

Pas ngjarjes së rëndë që tronditi vendin, ku u vra gjyqtari i Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja, dhe u plagosën dy persona të tjerë, ka folur Gjovalin Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar, Elvis Shkambi.

Në një deklaratë të fortë dhe kërcënuese ndaj organeve të drejtësisë, Gjovalin Shkambi mohoi se është i penduar, duke përsëritur pretendimet se ngjarja lidhet me një konflikt të gjatë pronësor.

“Ata që do të dënojnë nipin tim, do të përballen me këtë gjë. Ata gjyqtarë që do të dënojnë nipin, do të përballen me të njëjtën gjë (vrasje) me plumba,” – ka deklaruar Shkambi, duke shtuar se familja e tij prej 13 vitesh ka kërkuar drejtësi për pronën që “ia kanë blerë shtetit”.

Pyetur nëse ndjen pendesë për ngjarjen, Shkambi u shpreh me tone kontradiktore:

“Familjes së të ndjerit gjyqtar i ulem në gjunjë. Kemi 13 vite që informojmë shtetin… Nëse dënojnë djalin, të njëjtën gjë do bëjmë.”

Ai theksoi se dokumentacioni i pronës është i rregullt, ndërsa ka akuzuar institucionet për neglizhencë, duke shtuar se janë ankuar në nivelet më të larta qeveritare, por pa asnjë rezultat.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku Elvis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin Kalaja gjatë shpalljes së vendimit për një çështje pronësie që përfshinte familjen e tij.