Cili është kushti kryesor që të gjeni punën e përshtatshme?!
Çdo kush shpreson që një ditë do të angazhohet në një vend pune të caktuar për të kryer detyrat që do ti jepen dhe me çrast do të shpërblehet për punën që do të bëjë. E gjithë kjo është e natyrshme dhe e pranueshme nga të gjithë.
Mirëpo, për të arritur deri te ky qëllim është shumë me rëndësi të plotsojmë njërin nga kushtet kryesore për të arritur të sigurojmë një punë të përshtatshme.
Njohja e vetes dhe aftësive personale ka shumë rëndësi në procesin e gjetjes së punës.Shumë njerëz nuk e njohin mirë veten dhe aftësitë e tyre. Ka shumë individë të cilët i shohin vetëm aspektet pozitive të tyre, pa i parë, ose duke i injoruar aspektet negative.
Tendencat e mbivlerësimit apo nënvlerësimit të vetes mund të shkaktojnë probleme gjatë gjetjes së punës apo edhe pas gjetjes së saj. Nëse ne besojmë se jemi shumë më të aftë në ndonjë shkathtësi se sa që jemi realisht, ne mund të frustrohemi kur në punë na jepet raporti për performancë të dobët. Kjo mund të na shtyjë të fajësojmë punëdhënësin, kur në realitet problemi qëndron te ne. Në anën tjetër, nënvlerësimi i vetes mund të na shtyjë të mendojmë se ne nuk jemi të aftë për ndonjë punë, edhe në qoftë se në realitet ne do të mund ta kryenim atë punë me sukses. Ky mentalitet mund të na pengojë seriozisht në procesin e gjetjes së punës.
Nëse e njihni veten mirë, ju do ta keni shumë më lehtë të ambientoheni dhe të shoqëroheni me kolegët e punës. Nëse i njihni anët tuaja pozitive dhe negative dhe nëse i pranoni ato, ju do ta keni shumë më lehtë të i pranoni edhe të tjerët ashtu si janë. Kjo do të rrisë harmoninë në vendin tuaj të punës, do të ulë nivelet tuaja të stresit do të ngrisë nivelin e lumturisë në punë dhe jashtë saj.


