BDI mban nesër Kongresin partiak, Ahmeti drejt rizgjedhjes edhe për një mandat

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të mbajë nesër në Shkup Kongresin e rregullt partiak, megjithëse në njoftimin zyrtar nuk janë bërë të ditura detaje rreth rendit të ditës, shkruan Alsat.

Sipas informacioneve zyrtare, kryetari aktual Ali Ahmeti pritet të rizgjidhet në krye të partisë, pasi deri më tani nuk është paraqitur asnjë kandidat tjetër për këtë pozitë.

Kongresi mbahet pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në të cilat BDI pësoi humbje të ndjeshme, duke humbur udhëheqjen e shumicës së komunave me shumicë shqiptare. Ky rezultat ka nxitur reagime dhe thirrje për përgjegjësi, si në opinionin publik ashtu edhe brenda vetë partisë, ku kritikat janë drejtuar ndaj funksionarëve që për më shumë se dy dekada kanë mbajtur poste kyçe në pushtet.

Në këtë kontekst, jozyrtarisht mësohet se Ali Ahmeti ka përgatitur një listë me emra të njohur partiakë që pritet të zëvendësohen me kuadro më të rinj. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto lëvizje do të shënojnë një reformë të vërtetë brenda partisë apo do të jenë vetëm ndryshime formale, duke e lënë “gardën e vjetër” aktive në prapaskenë.

Sipas burimeve jozyrtare, në listën e ndryshimeve përfshihen funksionarë të lartë si sekretari organizativ Blerim Bexheti, anëtari i Këshillit Mbikëqyrës Musa Xhaferi, anëtari i Këshillit Kombëtar Sadulla Duraku, si dhe disa anëtarë të Kryesisë, përfshirë Fatmir Deharin, Teuta Arifin, Bekim Nezirin, Xhevat Ademin, Resi Abdurramanin, Ejup Alimin, Bilen Salijin, Ejup Rustemin dhe të tjerë.

BDI në periudhën e fundit është përballur edhe me goditje nga vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili fillimisht futi Ramiz Merkon në listën e zezë, ndërsa më pas edhe Artan Grubin, bashkëpunëtor i afërt i Ahmetit. Ndërsa Merko përballet me procese gjyqësore, Grubi ndodhet prej më shumë se një viti në arrati.