ADN konfirmon dyshimet në rastin e abuzimit me 12-vjeçaren në Pogradec

Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me rastin e rëndë të abuzimit seksual ndaj një 12-vjeçareje në Pogradec. Sipas mediave në Shqipëri, analiza e ADN-së ka përputhur materialin gjenetik të fetusit me atë të të dyshuarit, një 67-vjeçar i identifikuar me inicialet R.S., i cili kishte njohje familjare me familjen e vajzës.

E mitura ka dëshmuar në prani të psikologut, duke rrëfyer për kërcënime të vazhdueshme që, sipas saj, i janë bërë për të mos e bërë publike ngjarjen. Familjarët janë marrë disa herë në pyetje, ndërsa hetuesit po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se çështja po trajtohet me prioritet maksimal, si për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ashtu edhe për ofrimin e mbështetjes mjekësore dhe psikologjike për të miturën. Sipas informacioneve, mjekët kanë rekomanduar ndërprerjen e shtatzënisë për arsye shëndetësore dhe për shkak të moshës së saj.

Rasti u bë publik më 30 dhjetor, ndërsa hetimet nisën menjëherë pas konstatimit të shtatzënisë, e cila në atë kohë ishte rreth javës së 22-të.