FORCA E DIASPORËS SHQIPTARE: AMBASADORI SELA – NJË HISTORI SUKSESI NGA GJERMANIA NË STRUGË

Spitali i Dializës në Struga ka pranuar një donacion të rëndësishëm me pajisje moderne mjekësore, duke shënuar një nga investimet më domethënëse në historinë e këtij institucioni shëndetësor.

Në qendër të kësaj nisme qëndron Shkëlqim Reçi, mjek me karrierë në Carl von Basedow Klinikum, i cili, në bashkëpunim me Ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Ylber Sela, ka mundësuar krijimin e një partneriteti konkret mes institucioneve shëndetësore të dy vendeve.

Falë këtij bashkëpunimi, Spitali i Dializës në Strugë është pajisur me makina moderne për dializë, respiratorë, aparatura ekografie, monitorë për parametrat jetikë, perfuzorë dhe tavolina operative. Këto pajisje do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së trajtimit dhe përmirësimin e kushteve për pacientët dhe personelin mjekësor.

Nga ky projekt ka përfituar edhe Spitali i Përgjithshëm i Strugës, i cili është furnizuar me respiratorë për të rritur dhe të porsalindur, inkubatorë dhe pajisje të tjera të domosdoshme për repartet intensive.

Ky donacion u realizua me mbështetjen e drejtorit të Spitalit të Dializës, Jetmir Ziba, drejtorit mjekësor Alexander Schütte, si dhe kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Ky është një shembull frymëzues i fuqisë së diasporës shqiptare dhe i rolit që ajo mund të luajë në zhvillimin e vendlindjes, duke dëshmuar se përkushtimi dhe bashkëpunimi sjellin rezultate konkrete për qytetarët.