Studentët shqiptar paralajmërojnë protesta të reja për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe
Studentët shqiptar po shqyrtojnë vazhdimin e protestave lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, për shkak të mungesës së veprimeve konkrete nga institucionet pas protestës së mbajtur më 6 prill.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, në një deklaratë për TV21, kritikoi institucionet për mungesë transparence dhe moskomunikim me studentët.
“Bëhen gati dy vite që kemi dorëzuar kërkesën e parë, katër muaj nga peticioni dhe afro një muaj nga protesta e parë. Përveç premtimeve, ende nuk kemi parë asgjë konkrete”, deklaroi Ademi.
Ai theksoi se studentët nuk janë informuar për hapat që po ndërmerren, përbërjen e grupeve të punës apo mënyrën se si synohet zgjidhja e kësaj çështjeje, ndonëse Ligji për përdorimin e gjuhëve, sipas tij, është i qartë.
Për këtë arsye, grupi organizativ tashmë është duke përgatitur hapat e ardhshëm, duke mos përjashtuar mundësinë e organizimit të një proteste të re në Shkup.
Më 6 prill, mijëra studentë dhe qytetarë protestuan duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe mundësinë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se Qeveria po punon për një zgjidhje ligjore të çështjes.

