Leonard Ademaj: Vendimi për vrasjen e Liridona Ademaj lehtëson dhimbjen, drejtësia u vu në vend
Vëllai i Liridona Ademaj, Leonard Ademaj, ka deklaruar se vendimi i gjykatës për dënimin me burgim të përjetshëm të Naim Murseli dhe Granit Plava, si dhe me 30 vjet burgim të Kushtrim Kokalla, ka sjellë një lehtësim të pjesshëm për familjen.
Ai theksoi se edhe një herë u vërtetua ajo që familja kishte deklaruar që nga fillimi, se Murseli dhe Kokalla kishin organizuar vrasjen, duke përzgjedhur Plavën si ekzekutues.
Sipas tij, ky vendim nuk ka rëndësi vetëm për familjen, por edhe për fëmijët e viktimës dhe për gjithë shoqërinë.
“U vërtetua ajo që kemi thënë që nga fillimi – se Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim nuk është vetëm për ne, por edhe për Liridonën dhe fëmijët e saj që nuk do ta shohin më nënën e tyre. Është një mesazh edhe për të gjithë ata që mendojnë të kryejnë krime të tilla”, u shpreh ai.
Ademaj shtoi se, megjithëse dhimbja mbetet, vendimi ishte i pritur dhe ka ndikuar që familja të ndiejë sadopak drejtësi.

