Çfarë është të folurit në gjumë dhe pse ndodh?
A ju ka thënë ndonjëherë dikush se flisni në gjumë? Apo keni dëgjuar persona që flasin ndërsa flenë? Ky fenomen është më i zakonshëm sesa mendohet dhe zakonisht nuk përbën rrezik për shëndetin.
Të folurit në gjumë përfshin mërmëritje, fjalë apo dialogje pa kuptim dhe ndodh si gjatë fazës REM (kur shohim ëndrra), ashtu edhe në fazën jo-REM të gjumit. Gjatë fazës REM, edhe pse trupi është i relaksuar, kordat vokale mund të aktivizohen papritur dhe fjalët e ëndrrës mund të thuhen me zë.
Ky fenomen vërehet më shpesh te fëmijët dhe meshkujt dhe zakonisht nuk konsiderohet problem shëndetësor.
Çfarë e shkakton të folurin në gjumë?
Tek të rriturit, shkaqet më të shpeshta janë:
-Stresi dhe ankthi
-Depresioni
-Pagjumësia
-Konsumimi i alkoolit
Tek fëmijët, mund të lidhet edhe me temperaturën apo lodhjen. Në disa raste, të folurit në gjumë mund të jetë i trashëguar ose të shoqërohet me probleme të tjera të gjumit, si apnea, somnambulizmi apo çrregullime të tretjes.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Nëse e folura në gjumë është shumë e shpeshtë dhe ju prish cilësinë e gjumit, rekomandohet të bëni një kontroll mjekësor. Në disa raste, ajo mund të lidhet me probleme psikologjike.
Si mund të parandalohet?
Sipas AgroWeb.org, këshillohet:
-Të shmangni alkoolin dhe ushqimet e rënda para gjumit
-Të ruani një orar të rregullt gjumi
-Të evitoni stresin
-Të mos pini kafe në orët e vona
-Të bëni kujdes me pilulat për gjumë
Në shumicën e rasteve, të folurit në gjumë nuk kërkon trajtim, por vetëm vëmendje ndaj stilit të jetesës dhe pushimit.

