PDK bojkoton numërimin në Mitrovicë: Fletëvotime me numra serikë të ndryshëm, dyshohet manipulim i organizuar

Anëtari i PDK-së në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, Jahiq Sumiqi, ka reaguar lidhur me ndërprerjen e procesit të numërimit të votave, duke theksuar se janë gjetur më shumë se 20 fletëvotime me numra serikë të ndryshëm, të cilat nuk korrespondojnë me vendvotimin përkatës.

Sumiqi e ka cilësuar këtë rast si një inxhiniering të organizuar dhe ka thënë se shumica e këtyre fletëvotimeve kanë qenë për Lëvizjen Vetëvendosje, por ka pasur edhe disa me vota për PDK-në, të vendosura për të “fshehur gjurmët e manipulimit”.

“Kryesisht fletëvotimet që janë gjetur, afër 70 përqind e tyre janë të Lëvizjes Vetëvendosje. Por për të fshehur gjurmët, disa janë edhe me votat e PDK-së, mirëpo ato janë pak. Ne dyshojmë se janë bërë për të mbuluar këtë inxhiniering të paparë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë,” tha Sumiqi.

Ai shtoi se PDK-ja, së bashku me partitë e tjera në koalicion, ka bojkotuar procesin e numërimit, duke argumentuar se procesi po kërkohej të bëhej në kundërshtim me ligjin:

“Ne si PDK e kemi bojkotuar procesin pasi është kërkuar nga prokurori i rastit që të shkelet ligji. Jemi kundër shkeljes së ligjit dhe kemi vendosur të bojkotojmë numërimin deri në këto çaste.”

Ky incident vjen në një moment kritik të balotazhit, duke ngjallur shqetësime për transparencën dhe rregullshmërinë e procesit zgjedhor në Mitrovicë.