Zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri: 334 mijë qytetarë votojnë nesër në pesë bashki

Nesër, 334.539 qytetarë në pesë bashki të Shqipërisë do të dalin në votime për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë tashmë të gjitha materialet zgjedhore në këto bashki, ndërsa Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash të detajuar për garantimin e mbarëvajtjes së procesit.

Sipas njoftimit zyrtar, nëntë objekte zgjedhore ku ndodhen komisionet e KZAZ-ve dhe 473 qendra votimi janë marrë në ruajtje nga forcat e rendit. Në total, 612 efektivë policie do të angazhohen për sigurinë e qendrave të votimit, transportin e materialeve dhe parandalimin e çdo tentative për prishjen e procesit zgjedhor.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo rast të presionit apo tentativës për manipulim të votës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i votuesve me të drejtë vote është:

172 mijë në Vlorë 82 mijë në Berat 39 mijë në Cërrik 29 mijë në Mat 12.600 në Tepelenë

Në këto zgjedhje, Partia Demokratike dhe opozita nuk kanë paraqitur kandidatë me siglën e tyre, por kanë shpallur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur, të cilët do të përballen me kandidatët e Partisë Socialiste (PS) dhe disa emra të tjerë lokalë.

Në Vlorë, gara pritet të jetë më e ndjekura: Brunilda Mersini, kandidatja e PS-së që hoqi dorë nga mandati i deputetes për të kandiduar për kryebashkiake, do të përballet me Dionis Sotën, të mbështetur nga PD, dhe Gjergj Nikën, anëtar i Këshillit Bashkiak nën siglën e PD-së.

Procesi pritet të zhvillohet nën vëzhgimin e vëzhguesve të brendshëm dhe ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet paraprake do të publikohen brenda orëve të para pas mbylljes së qendrave të votimit.