Rrëmbim dhe përdhunim në rajonin e Dibrës, arrestohen dy persona nga Xhepishte dhe Otishan

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) – Strugë ka paraqitur kallëzim penal kundër A.L. (26) nga fshati Xhepishte i Dibrës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “rrëmbim” dhe “sulm seksual – përdhunim”, si dhe kundër E.V. (18) nga fshati Otishan i Dibrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “rrëmbim”.

Sipas njoftimit të MPB-së, më 6 nëntor 2025, rreth orës 19:00, në një fshat në rajonin e Dibrës, të dyshuarit me forcë e kanë futur një grua 30-vjeçare nga oborri i shtëpisë së saj në një veturë të tipit “Audi”, të cilën e drejtonte E.V., dhe janë nisur drejt një objekti të braktisur afër Strugës.

Në atë vend, A.L. e ka sulmuar fizikisht viktimën, e cila ka humbur ndjenjat, pas çka ai e ka përdhunuar. Më pas, A.L. ka thirrur bashkëpunëtorin e tij E.V., dhe së bashku e kanë dërguar gruan në Spitalin e Përgjithshëm të Strugës.

Të dy autorët janë gjetur dhe arrestuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.