Lëvizje të forta në Strugë: Strukturat e VLEN-it kalojnë në mbështetje të Arsim Dalipit

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, skena politike në Strugë po përjeton zhvillime të forta dhe të papritura. Strukturat lokale të VLEN-it në disa vendbanime të komunës kanë njoftuar kalimin e tyre në mbështetje të kandidatit të Aleancës për Komunën e Integruar (AKI), Dr. Arsim Dalipit, duke braktisur kampin e Mendi Qyrës.

Ky vendim vjen pas përkrahjes publike që kryetari aktual i komunës, Ramiz Merko, i dha kandidatit të pavarur Mendi Qyra, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi të thellë në radhët e strukturave të VLEN-it, të cilat prej vitesh kanë qenë kundërshtarë të politikave të Merkos.

Përfaqësues të këtyre strukturave kanë deklaruar se janë ndjerë të mashtruar dhe të manipuluar, pasi për një kohë të gjatë u ishte thënë se Ramiz Merko mbështet Arsim Dalipin, ndërkohë që e vërteta rezultoi ndryshe.

“Ne e kemi luftuar Ramiz Merkon për vite dhe nuk mund të qëndrojmë përkrah një kandidati që merr bekimin e tij. Maskat ranë dhe e vërteta doli në shesh,” – thanë ata.

Ky zhvillim shihet si një goditje serioze për kampin e Mendi Qyrës, ndërsa një forcim i ndjeshëm për Arsim Dalipin, i cili po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në terren në ditët vendimtare para raundit të dytë.