Drejtoria e Aviacionit jep leje për fluturimet e diasporës shqiptare drejt Maqedonisë së Veriut
Pas disa ditësh heshtje dhe refuzimi për të dhënë leje aterimi për gjashtë aeroplanë çarter të mbushur me votues shqiptarë nga diaspora, drejtori i Drejtorisë së Aviacionit Civil (DAC), Dragi Stojanovski, është dorëzuar. Vetëm pak minuta më parë, ai ka firmosur lejet për aterim në aeroportet e Shkupit dhe Ohrit për aeroplanët që vijnë nga Dortmundi, Bazeli dhe Cyrihu, të cilët transportojnë votues shqiptarë që pritet të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat Kërçovë, Strugë dhe Bërvenicë.
Sipas burimeve të gazetës KOHA, vendimi i Stojanovskit vjen pas presioneve të shumta nga mediat dhe ambasadat e huaja në Shkup, të cilat kishin kërkuar sqarime për bllokimin e pashpjegueshëm të fluturimeve. Më herët ishte raportuar se pas këtij qëndrimi qëndronte ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski, i cili kishte urdhëruar që kërkesat e agjencive turistike nga Zvicra dhe Gjermania të mos miratoheshin.
Në reagim ndaj këtij bllokimi, koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) kishte informuar ambasadat e huaja, duke akuzuar pushtetin për pengim të organizuar të votës së diasporës shqiptare në komunat ku gara elektorale është e ngushtë. Kjo ndërhyrje diplomatike dhe reagimi i gjerë publik kanë detyruar Stojanovskin të nënshkruajë lejet që ishin mbajtur pezull për ditë të tëra.
Burime brenda DAC konfirmojnë për KOHA-n se drejtori ka firmosur gjashtë kërkesat për aterim në Shkup dhe Ohër pas paralajmërimeve për përgjegjësi penale për abuzim me detyrën zyrtare dhe diskriminim politik.
Ndërkohë, për shkak të pasigurisë, diaspora shqiptare kishte njoftuar autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë që, në rast të refuzimit përfundimtar, fluturimet çarter do të devijoheshin për në aeroportet e Prishtinës dhe Tiranës, prej nga pasagjerët do të udhëtonin drejt Maqedonisë për të ushtruar të drejtën e votës.


