Përleshje fizike dhe të shtëna me armë afër shkollës “Xheladin Gashi” në Komoran
Një përleshje fizike është raportuar sot afër shkollës “Xheladin Gashi” në Komoran të Drenasit, ku pas konfliktit është përdorur edhe armë zjarri, raporton Klan Kosova.
Gazetarja e këtij televizioni, Altiana Zogaj, ka njoftuar nga vendi i ngjarjes se incidenti ka përfshirë disa persona dhe se njësitë policore kanë rrethuar zonën.
“Disa persona kanë pasur përleshje fizike, e cila është përcjellë edhe me të shtëna me armë zjarri. Në këtë rast, një veturë ka mbetur e dëmtuar, por jo nga të shtënat e armës, por nga goditja me çekan. Njësitet policore janë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë rrethuar hapësirën”, ka deklaruar Zogaj.
Sipas saj, rasti nuk ka lidhje me zgjedhjet, por ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëhershëm ndërmjet personave të përfshirë.
Derisa nuk raportohet për të lënduar, Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë konfirmim zyrtar lidhur me incidentin.
📍 Burimi: KlanKosova.tv


