Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale: “BE-ja duhet të reagojë dhe ta sanksionojë”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe ndërhyrjeve të Serbisë në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë.
Kurti akuzoi Beogradin për përdorimin e metodave të vjetra të ndikimit mbi qytetarët serbë në Kosovë, përmes premtimeve për vende pune, përfitimeve financiare dhe shantazheve me ndihma sociale.
“Premtimet për vende pune, joshja me përfitime financiare, kushtëzimi e shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri Millosh Vuçeqiq dhe më herët Vuçiqi, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Ai theksoi se Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishte evidentuar më parë ndërhyrje të tilla edhe në zgjedhjet parlamentare dhe se mungesa e reaksionit nga Bashkimi Evropian ka inkurajuar Serbinë të vazhdojë me të njëjtat praktika.
“Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga BE-ja, andaj nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje është edhe më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë. I bëjmë thirrje BE-së që ta dënojë ndërhyrjen dhe të sanksionojë Serbinë,” përfundoi Kurti.


