Presidentja Osmani takon ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Nju Jork me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge.

Shefja e shtetit njoftoi se në takim ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të Aleancës në vend, duke ritheksuar gjithashtu përkushtimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e saj.
“Në New York pata kënaqësinë të takohem me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge. Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në Facebook.
Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të forcuar partneritetin me NATO-n dhe për të avancuar procesin e anëtarësimit në këtë aleancë, që mbetet një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të vendit.

