Aksion në Vushtrri, arrestohen katër persona për “detyrim” dhe “lëndim të lehtë trupor”

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë kanë zhvilluar një operacion të përbashkët në tri lokacione të Vushtrrisë, nga ku janë arrestuar katër persona.

Sipas njoftimit zyrtar, në orët e hershme të mëngjesit janë kontrolluar dy shtëpi në fshatin Ropicë dhe një lokacion në qytetin e Vushtrrisë.

Nga ky aksion janë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Detyrimi”, si dhe një person që ishte në arrati, i cili kërkohej për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.

Me vendim të prokurorit, të gjithë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa operacioni policor pritet të vazhdojë.