Rubin mbron luftën e UÇK-së, qeveria dhe presidenca e Kosovës në heshtje!

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë për dy ditë, duke mbrojtur ish-krerët e UÇK-së, por presidenca dhe qeveria aktuale e Kosovës kanë zgjedhur heshtjen. As presidentja Vjosa Osmani, as kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk kanë reaguar për dëshminë që po vlerësohet si më e rëndësishmja deri tani.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, nga SHBA-ja, ka kritikuar ashpër këtë heshtje në rrjetet sociale, duke e quajtur pushtetin “qyqarë shqiptarë” për mosreagim ndaj fakteve që Rubin po prezanton.

Rubin ka drejtuar kritika të ashpra edhe ndaj Prokurorisë Speciale, duke thënë se trajtimi i Hashim Thaçit nuk është drejtësi, por akuzë politike:

Thaçi është mbajtur në paraburgim për më shumë se 5 vite, ndonëse është dorëzuar vullnetarisht dhe ka bashkëpunuar me gjykatën. Rubin tha se këto veprime nuk lidhen me drejtësinë, por me politikën, dhe i cilësoi si fajësim politik për rolin e Thaçit si udhëheqës i UÇK-së. Ai shtoi se nga përvoja e tij me liderët e UÇK-së, nuk ka parë prova që justifikojnë akuzat e ngritura.

Diplomati amerikan theksoi gjithashtu se Thaçi ka krijuar vet gjykatën dhe ka vepruar vullnetarisht për paraqitjen e tij, duke konsideruar si të pazakontë dhe të padrejtë mbajtjen pesëvjeçare në paraburgim.

Rubin e cilësoi këtë trajtim të ish-krerëve të UÇK-së si një shkelje të parimeve të drejtësisë dhe si një shembull të ndikimit politik mbi procesin gjyqësor.