VMRO-DPMNE dhe VLEN ende pa marrëveshje për kryesuesin e Këshillit në Strugë
Bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN për zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit të Strugës vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Burime të VMRO-së për Alsat thonë se pa kryetar këshilli nga radhët e tyre, nuk do të ketë koalicion me VLEN, e as mbështetje për kryetarin e sapozgjedhur të Strugës, Mendi Qyrën.
Pas seancës së së premtes, ku nuk u arrit të zgjidhej kryesuesi, gjatë fundjavës nuk është zhvilluar asnjë takim zyrtar mes palëve. VMRO thekson se pikërisht me votat e gjashtë këshilltarëve të saj Qyra arriti të bëhej kryetar komune, dhe se pa këto vota, VLEN nuk do të mund të formojë shumicë në Këshill.
VMRO mbetet e prerë në kërkesën për postin e kryesuesit.
“Nuk po negociojmë me askënd. Këshilli është organ i veçantë i komunës. Kur të krijohen kushtet për shumicë dhe për zgjedhjen e kryetarit, atëherë kjo do të ndodhë. Këto çështje diskutohen në nivele më të larta të partisë dhe do të bëhen të ditura kur të merret vendimi”, deklaroi këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Mite Stevoski.
Pjesë e kërkesave të VMRO-së përfshijnë edhe pozita udhëheqëse në disa ndërmarrje publike dhe institucione arsimore në qytet.
Ndërkohë, nga VLEN thonë se nuk ka pasur ende takim zyrtar me partnerët e mundshëm të koalicionit.
“Nuk kemi zhvilluar ende bisedime për Këshillin e Strugës. Qëndrimet tona do t’i paraqesim pasi të takohemi dhe t’i dëgjojmë propozimet e tyre. Ajo që ishte më e rëndësishme – u realizua. Struga iu kthye qytetarëve. Tani prioritet është zbatimi i programit të kryetarit Mendi Qyra”, tha Albërim Hoxha, shef i shtabit të VLEN-it në Strugë.
Në përbërjen e Këshillit të Strugës janë:
8 këshilltarë nga AKI, 6 nga VMRO-DPMNE, 4 nga VLEN, 3 nga lista e mbështetur nga ish-kryetari Ramiz Merko, 1 nga “E Majta”, 1 nga LSDM.
Nga LSDM, këshilltari Dimçe Shipinkaroski tha se asnjë ofertë konkrete nuk i është paraqitur:
“Ata që pretendojnë për funksione të tilla duhet së pari të dorëzojnë program dhe të sigurojnë shumicë mbi baza të qarta dhe transparente. Deri tani nuk kam marrë asnjë propozim.”
Sipas ligjit, në rast se deri në mars nuk miratohet buxheti për vitin 2026, atëherë qyteti shkon në zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Strugës.

