VLEN bëhet parti, por BESA, LD dhe Alternativa nuk çregjistrohen!

Koalicioni VLEN po hyn në fazën përfundimtare të transformimit në një subjekt të vetëm politik, me kuvendin themelues që pritet të mbahet në muajin maj.

Sipas burimeve, në takimin e fundit mes liderëve Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali dhe Azir Aliu është arritur marrëveshje që partia e re të udhëhiqet me model bashkëkryesie. Sipas këtij koncepti, Mexhiti dhe Kasami pritet të jenë bashkëkryetarë, ndërsa Sali të marrë postin e sekretarit të përgjithshëm.

Megjithatë, ende nuk ka dakordim për ndarjen e ndikimit brenda strukturave. Propozimi aktual parasheh që Lëvizja Demokratike dhe BESA të kenë nga 35% të pushtetit, ndërsa pjesa tjetër të ndahet mes Alternativës, një fraksioni të Aleancës për Shqiptarët dhe deputetit të pavarur Bekim Qoku. Kjo formulë kundërshtohet nga Alternativa dhe ASH, të cilat kërkojnë përfaqësim të barabartë.

Transformimi i VLEN pritet të reflektohet edhe në Qeveri. Sipas burimeve, ministri Fatmir Limani mund të largohet nga posti për shkak të përplasjeve me Kasamin, ndërsa pozita e zëvendëskryeministrit Arben Fetai nuk konsiderohet e rrezikuar për momentin.

Brenda koalicionit janë shfaqur edhe përçarje të brendshme, veçanërisht në Aleancën për Shqiptarët, ku ekzistojnë dy krahë të ndryshëm politikë. Tensione raportohen edhe brenda BESËS.

Ndërkohë, partitë përbërëse – BESA, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa – nuk pritet të çregjistrohen, por do të vazhdojnë të ekzistojnë si subjekte juridike të veçanta për të ruajtur të drejtat ligjore.

Pas kuvendit themelues, pritet edhe kongresi i parë i partisë së re, ku do të formalizohen strukturat dhe prioritetet strategjike.