Vdekja e 25-vjeçares nga Kosova në Tetovë: Prokuroria nuk gjen shenja për vepër penale, hetimet vazhdojnë

Nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë njoftojnë se të dhënat fillestare nuk japin indikacione për vepër penale lidhur me vdekjen e 25-vjeçares me iniciale D.S. nga Gjakova – Kosovë, e cila u gjet pa shenja jete mbrëmjen e 4 nëntorit në afërsi të tregut të gjelbër në Tetovë, përcjell TV21.

Megjithatë, hetimet janë intensifikuar dhe do të ndërmerren masa të mëtejshme deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

📍Burimi: TV21.tv