Tetovari sulmohet nga qentë endacak
Tetovari Agron Arifi është sulmuar ditë më parë nga qentë endacakë teksa ecte me qenin e tij në lagje. Por kjo nuk është hera e parë. Ai thotë se tashmë 5 herë është sulmuar nga qentë.
“Është një problem që vazhdon prej muajsh. Sulmet filluan në korrik. Në Tetovë ka një numër të madh të qenve, por asnjëherë nuk jam përballur me një agresivitet të tillë. Unë kam marrë në telefon inspektoratin komunal që nga korriku. Më pas, më 1 gusht kontaktova me Shoqatën Amos, por nuk mora asnjë përgjigje. Në shtator, më sulmuan edhe në rrugën Gjorçe Petrov. Në tetor, më 3 tetor, u sulmova sërish. Rastin e denoncoj çdo herë në polici” -thotë tatuisti Agron Arifi.
Agroni problemin e ka parashtruar edhe përpara inspektorëve komunal, por nga ato ka marrë përgjigjen se nuk mund ta ndihmojnë.
“Jam takuar me inspektorët komunalë, por është zhgënjyese që më kanë thënë se nuk mund të më ndihmojnë dhe ta zgjidhin këtë problem. Më kanë marrë numrin e telefonit dhe jam ofruar që t’i ndihmoj në largimin e qenve nga terreni, por shihet se qentë janë në lagje dhe çdo kalimtar është i kërcënuar prej tyre”- thotë Arifi./tv21


