Taravari vazhdon me AKI-në, pret ”reforma të mira” në Kongresin e BDI-së

Ndryshe nga Ziadin Sela, i cili njoftoi largimin nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), kreu i krahut tjetër të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se ai dhe partia e tij mbeten pjesë e këtij koalicioni të udhëhequr nga BDI.

Taravari theksoi se ASH-ja që ai drejton po vazhdon të funksionojë brenda koalicionit AKI, duke shtuar se pret “reforma të mira” në Kongresin e ardhshëm të BDI-së që pritet të mbahet në dhjetor.

Njëkohësisht, ai mohoi kategorikisht mundësinë që BDI të paraqesë kandidat të vetin për kryetar të Gostivarit në zgjedhjet e përsëritura që do të mbahen në fillim të vitit 2026, pasi në zgjedhjet e fundit lokale nuk u arrit censusi në raundin e parë.

Taravari konfirmoi se ekziston një marrëveshje e dakorduar më herët, sipas së cilës kandidati i përbashkët i ASH-së dhe BDI-së do të jetë sërish kryetari aktual në detyrë, Valbon Limani – i cili e pasoi Taravarin në këtë post kur ai u emërua ministër i Shëndetësisë.

“Kemi një marrëveshje. Kandidati i përbashkët për Gostivarin do të jetë Valbon Limani, i cili fitoi me 17.000 vota kundrejt 4.200 dhe i mungonin vetëm 21 vota për të arritur censusin. Kjo çështje është zgjidhur prej kohësh”, deklaroi Taravari për Fokus.

Ai shtoi se diferenca në zgjedhjet e kaluara ishte edhe më e madhe në komunën e Vrapçishtit, ku kandidati i ASH-së, Isen Shabani, kryesonte bindshëm para se procesi të përsëritej për shkak të mosarritjes së censusit. Zgjedhje të përsëritura do të mbahen gjithashtu në Qendër Zhupë dhe Mavrovë.