Superekspertiza konstaton lëshime pas operacionit në rastin e lehonës, Jilldiz Veaposka

Rezultatet e superekspertizës së kryer nga Këshilli Mjekësor Gjyqësor në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup konfirmuan se në rastin e Jilldiz Veaposkës – lehona nga Dibra të cilës pas operacionit cezarian iu hoqën tre organe (mitra, vezorja dhe veshka e majtë) – ka pasur lëshime serioze në periudhën pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Sipas raportit të prezantuar gjatë seancës së sotme në Gjykatën Themelore të Strugës, përgjegjësia kryesore bie mbi mjekun kirurg që e ka kryer operacionin, gjinekologun Muhamed Asani, i cili është edhe i dyshuari i parë në këtë proces gjyqësor.

Ekspertja mjekoligjore Verica Poposka nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistike deklaroi se i akuzuari i dytë, dr. Blerton Asani, ka qenë specializant gjatë ndërhyrjes dhe, sipas padisë, nuk mund të mbajë përgjegjësi për komplikimet e ndodhura. Përgjegjësi nuk i atribuohet as të akuzuarës së tretë, dr. Liljana Jovanovska, e cila nuk ka qenë e angazhuar në periudhën pas operacionit.

Sipas ekspertizës, gjendja e pacientes u përkeqësua menjëherë pas operacionit më 27 gusht 2020, me analiza të gjakut që tregonin ulje të dukshme të vlerave. Poposka theksoi se janë bërë lëshime të rënda, pasi nuk janë marrë masa të domosdoshme diagnostikuese për të zbuluar shkakun e gjendjes së saj.

“Po të ishin ndërmarrë procedurat diagnostikuese në kohë, ndërhyrja kirurgjikale duhej kryer menjëherë për të ndaluar humbjen e gjakut. Kjo do të kishte shmangur përkeqësimin e rëndë të pacientes në ditën e katërt, kur ajo ra në shok hemorragjik. Në atë moment, u bë gjithçka vetëm për t’i shpëtuar jetën,” – tha Poposka.

Raporti sqaron se në Spitalin e Strugës, pacientes fillimisht iu hoqën mitra dhe vezorja e majtë, ndërsa më pas edhe veshka e majtë. Ajo u dërgua urgjentisht në Qendrën Klinike të Shkupit, ku u konstatua se vazhdonte të humbiste gjak; gjatë intervenimit të ri u lidh arteria renale e majtë. Sipas ekspertëve, mosdërgimi i saj në Shkup në kohë do të rezultonte në fatalitet.

Tre mjekët që përgatitën superekspertizën theksuan se gjatë gjithë karrierës së tyre nuk janë hasur në një rast kaq kompleks dhe të rëndë.

Në fillim të seancës, prokurorja Ermira Musa-Nura propozoi ndryshime në dispozitivin e aktakuzës, ndërsa mbrojtja kërkoi kohë për t’i shqyrtuar ato. Të akuzuarit deklaruan se nuk e kishin kuptuar aktakuzën e ndryshuar dhe se nuk kanë qenë në detyrë në periudhën pas operacionit.

Gjykimi do të vazhdojë të premten me marrjen në pyetje të të akuzuarve dhe me fjalimet përfundimtare.