Rrëzohet avioni zjarrfikës turk në Kroaci, humb jetën piloti
Kërkimet për avionin zjarrfikës turk që u zhduk herët pasditen e sotme në Kroaci kanë përfunduar tragjikisht. Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, Ibrahim Yumakli, njoftoi se avioni AT802 u rrëzua pranë qytetit të Senit dhe piloti humbi jetën.
“Piloti ynë ra në krye të detyrës. I shpreh ngushëllimet e mia familjes, të afërmve, shërbimit tonë pyjor dhe kombit tonë,” – deklaroi ministri Yumakli.
Sipas njoftimit të ministrisë turke, dy avionë ishin nisur nga Çanakalaja drejt Zagrebit për mirëmbajtje të planifikuar. Për shkak të motit të keq, ata u ndalën për një natë në Rijeka dhe të enjten pasdite u nisën sërish. Më pas, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, avionët tentuan të ktheheshin. Njëri prej tyre arriti të ulej në mënyrë të sigurt, ndërsa kontakti me të dytin u humb në orën 18:25.
Burime lokale raportuan se rreth orës 17:11 ishte marrë një sinjal për një “avion në flakë”, çka mobilizoi menjëherë shërbimet e emergjencës në terren. Ambasada turke në Kroaci ka dërguar një ekip për hetimin e rastit.
Autoritetet turke pritet të publikojnë më shumë detaje mbi shkaqet e rrëzimit pasi të përfundojnë hetimet.

