Pronari i lokalit ku pritej Albin Kurti: E mbylla për të shmangur eskalimin e situatës

Gani Haziri, pronari i lokalit ku ishte planifikuar të shkonte sot kryeministri Albin Kurti, ka sqaruar arsyet pse vendosi të mbyllë kafiterinë e tij pak para mbërritjes së tij.

Në një prononcim për media, Haziri tha se vendimi u mor për të evituar përshkallëzimin e tensioneve që po krijoheshin në ambient.

“Asnjë palë nuk ka kërkuar të lirohet hapësira, por pashë që situata po dilte nga kontrolli dhe për të mos ndodhur diçka më e madhe, vendosa ta mbyll lokalin,” deklaroi ai.

Haziri shtoi se nga punëtorët e tij kishte mësuar për vizitën e Kurtit dhe ishte përgatitur ta priste me respekt, por më pas e pa të nevojshme ndërhyrjen.

“E mora vesh prej punëtorëve të mi që po vjen Albin Kurti dhe shkova vet për ta pritur siç i takon një kryeministri të Kosovës. Por, kur pashë që po eskalon situata, vendosa ta mbyll përkohësisht lokalin,” theksoi ai.

Sipas Hazirit, të gjithë klientët e kanë mirëkuptuar vendimin, ndërsa sqaroi se kjo ishte hera e parë që Kurti do të vinte në lokalin e tij.

“Na kanë mirëkuptuar të gjithë, nga të dyja palët. Arsyeja e vetme ishte që të mos ndodhte diçka më e madhe,” përfundoi ai.