Prokuroria e Kavadarit ngre aktakuzë për 43-vjeçarin që vrau vëllain për përfitim pasuror

Prokuroria Themelore Publike e Kavadarit ka ngritur aktakuzë kundër një 43-vjeçari për veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 4 e Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 korrik të këtij viti, gjatë festës së ditëlindjes së viktimës, ku mes dy vëllezërve ka shpërthyer një debat për çështje pasurore. I akuzuari dyshonte se vëllai i tij po planifikonte t’ia merrte pasurinë, dhe i nxitur nga zemërimi dhe urrejtja, e ka goditur disa herë në kokë me pjesën metalike të një çekani të rëndë (tesla), duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Pas kryerjes së krimit, i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por të nesërmen është kthyer për ta fshehur trupin në banjë, ndërsa më vonë e ka groposur në hambar, duke e mbuluar me kompensatë dhe sende të tjera për të zhdukur gjurmët.

Në periudhën nga 30 korriku deri më 5 gusht, kur trupi u zbulua nga policia, i akuzuari kishte tërhequr disa herë para nga llogaria bankare e viktimës, duke e përdorur kartelën e tij.

Prokurori publik, pas përfundimit të hetimeve, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit deri në përfundimin e procesit gjyqësor.