Prof. Arta Mero: Shpresa vdes e fundit, por megjithatë vdes

Shpresa vdes e fundit, por megjithatë vdes

Nuk dua të shkruaj për politikë dhe as të bëj analiza politike, sepse kjo nuk është pjesë e profilit tim profesional. Kjo që po shkruaj nuk është analizë politike, por një reagim social, i bazuar në realitetin e përditshëm që e jetojmë dhe e dëgjojmë çdo ditë nga njerëzit përreth nesh. Analizat politike ua la “ekspertëve” që na sjellin çdo ditë e më shumë “prurje të rreja”!

Çdo ditë dëgjoj të njëjtin refren dëshpërimi nga njerëz me përvojë, të mbërthyer për vite në të njëjtin vend pune, me paga qesharake që nuk mbulojnë as nevojat bazike dhe mbaron me javën e parë të marrjes së saj. Avansimet e premtuara kanë mbetur fjalë bosh, të harruara sapo janë mbyllur kutitë e votimit. Askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk jep llogari. Avansimi shkon në llogari dhe në xhep të atyre për të cilët dhe pas të cilët ju vrapuat. Tani pritmi zgjedhjet e rradhës sepse do të ju duheni përsëri… Ju shfrytëzojnë dhe ju hudhin si leckë…

Po aq dëshpëruese janë historitë e të rinjve që besuan se “pas zgjedhjeve do të rregullohet”. U mashtruan nga eprorë politikë që ua mbushnin sallat me premtime astronomike, të dizajnuara për brohoritje, jo për realizim. Për ne që i dëgjojmë prej dekadash, këto premtime janë banale dhe fyese. Qyteti që para zgjedhjeve u shit si “Zvicra”, vetëm një javë më pas u shndërrua në “Kandahar”: i mbytur në pisllëk, bërllog, qen endacakë dhe pasiguri totale. Fëmijët nuk janë të sigurt askund. Nëpër lagje, grupe kriminale kryejnë hesapet e tyre haptazi, ndërsa shteti shikon, ose bën sikur nuk sheh. Fëmijët, pa parqe e pa hapësira, rriten të izoluar, të ngujuar pas ekraneve.

Studentëve të mi ua them haptazi: nëse studioni vetëm për një diplomë dhe për të lypur një vend pune në administratë- ndaluni tani, sepse dëshprimin e keni të sigurtë. Ky sistem nuk shpërblen dijen, as punën, as integritetin. Planet tuaja duhet të jenë më të mëdha se një karrige e falur politikisht. Hapni zyrat tuaja, krijoni vlerë, sepse gara për administratë zakonisht përfundon ose në punë terciale, ose në valixhe të mbushura për gurbet.

Ironia më e madhe është kjo: të rinjtë që mobilizuan, votuan dhe ua “falën” kolltukët pushtetarëve, sot shohin si pushteti shijohet mbi shpinën e tyre. Ata që presin avansime dhe ata që presin një vend pune janë viktima të së njëjtës skemë mashtrimi. Të dy palët ushqehen me të njëjtën gënjeshtër të ricikluar: “pak durim”; “para Vitit të Ri”; “pas Vitit të ri”, dhe kështu kalojnë ditët.

Unë personalisht jam e traumatizuar nga pyetjet primitive: “Vajza kujt je? Gruaja e kujt je? Nusja e kujt je? Me kënd je?” Këto pyetje nuk janë kureshtje, janë mekanizma akceptimi ose pranimi, mvaret prej situatës- fatkeqësisht. Dhe kur më gjykojnë se pse fëmijëve të mi nuk ua mbjell me fanatizëm ndjenjat patriotike, përgjigjja ime është e thjeshtë: sepse nuk dua që nesër të jetojnë në një vend ku gjithçka blihet dhe koruptohet, dhe çdo gjë mund të gjejsh përveç meritokracisë. Ju dhe grupacionet juaja keni shkatërruar vlerat patriotike duke i përdorur si dekor për korrupsion dhe nepotizëm. Ju jeni bashkëfajtorë për ikjen e rinisë dhe për dëshpërimin e atyre që kanë mbetur. Edhe kur “dhuroni” një vend pune, e ktheni në zinxhir. I robëroni njerëzit dhe prisni përulje, heshtje dhe lavde. Kjo nuk është udhëheqje. Kjo është abuzim me pushtetin dhe dinjitetin njerëzor. Kjo është abuzim me motrat medicinale që ju punojnë për 20.000 den dhe ju talleni me vendimet e tyre. Vite me rradhë abuzoni edhe me tatimet tona. Abuzoni me kontrata publike, keni ndërtuar një klasë elitare fallco mbi kurrizin e punës dhe kontributit të kësaj shoqërie. Çuditërisht, keni filluar të “frekuentoni” edhe jetën kulturore, artistike dhe intelektuale, ndërkohë që edhe vikendet i kaloni nëpër metropole evropiane. Me cilat para? Me paratë e atyre që u premtuat dhe nuk u ofruat asgjë. I keni gllabëruar për vete të gjitha. Madje keni ndërruar edhe stilin e veshjes, tani njihni firmat, i dalloni markat, ndërsa populli vazhdon të lutet për 30.000 denarë rrogë, që nuk mjafton as për një minimum dinjiteti njerëzor.

Situata në vend është e turpshme dhe e dhimbshme. Ju i keni shpallur të vdekura shpresat e një rinie dhe të një shoqërie që, për arsye aksidentale, e ka lidhur jetën me këtë vend. Dhe po, shpresa vdes e fundit, por megjithatë vdes, kur çdo ditë e mbytni me hipokrizi, gënjeshtër dhe paaftësi!