Procedurë kundërvajtëse ndaj Mendi Qyrës, për mospërdorim të flamurit shtetëror në Strugë
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka nisur procedurë kundërvajtëse ndaj Komunës së Strugës dhe kryetarit të saj, Mendi Qyra, për mosrespektim të Ligjit për përdorimin e flamujve.
Sipas MPB-së, Sektori i Punëve të Brendshme në Strugë ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës ndaj personit juridik – Komuna e Strugës – si dhe ndaj personit përgjegjës, M.Q. (65) nga Biçeva e Strugës. Ata akuzohen për shkelje të nenit 6, e cila sanksionohet sipas nenit 11 të Ligjit për Përdorimin e Flamujve të Bashkësive në RMV.
Sipas raportit, gjatë organizimit të manifestimit për Ditën e Flamurit Shqiptar më 28 nëntor 2025, në rrugën “Marshal Tito” në Strugë, krahas flamujve të bashkësive, nuk ishte vendosur flamuri shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut – as në skenë dhe as në disa pjesë të shëtitores pranë Drinit të Zi – ndonëse kjo është e detyrueshme me ligj.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, në reagimin e tij e cilësoi mospërdorimin e flamurit shtetëror si një “lëshim teknik”, duke shtuar se Komuna e Strugës është një projekt shumë më i madh për t’u vlerësuar mbi bazën e një gabimi në një manifestim të vetëm.

