Pesë persona nga Tetova nën hetim për trafikim me fëmijë, sulm seksual dhe përdhunim – Prokuroria kërkon paraburgim
Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal, ndërsa Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për pesë persona nga Tetova, të dyshuar për vepra të rënda penale, përfshirë trafikim me fëmijë, sulm seksual dhe përdhunim, raporton TV21.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më 24 dhjetor, ka ngritur kallëzim penal ndaj F.M. (25), I.D. (56), A.S. (30) dhe L.S. (28) për veprën penale “trafikim me fëmijë”, si dhe ndaj R.M. (31) për “sulm seksual dhe përdhunim”.
Gjatë aksionit policor janë kryer bastisje, ku janë konfiskuar telefona mobilë dhe karta SIM, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe janë vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Sipas autoriteteve, viktimë e rastit është një vajzë e mitur, e cila dyshohet se gjatë viteve 2023–2024 është mashtruar, kërcënuar dhe shfrytëzuar seksualisht. I dyshuari kryesor, sipas MPB-së, e ka mashtruar viktimën, atëkohë 15-vjeçare, duke i premtuar lidhje dashurie, ndërsa më pas, përmes kërcënimeve dhe shantazhit, e ka detyruar të përdorë narkotikë dhe ta shfrytëzojë seksualisht.
Hetimet tregojnë se për përfitim material të paligjshëm, viktima u është mundësuar edhe personave të tjerë të përfshirë në rast që të kryejnë veprime të paligjshme ndaj saj në disa lokacione në zonën e Tetovës. Njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me forcë, kundër vullnetit të të miturës.
Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa institucionet paralajmërojnë se do të ketë informacione shtesë në ditët në vijim.

