Ngërç në Strugë: VMRO-DPMNE dhe VLEN nuk bien dakord për kryesimin e Këshillit Komunal
Koalicioni midis VMRO-DPMNE dhe VLEN në Strugë nuk arriti të dakordohet për zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit të Komunës. Edhe pse pika ishte vendosur në rend dite, e vetmja marrëveshje mes tyre ishte heqja e saj nga rendi i ditës, ndërsa koalicioni AKI kishte paraqitur tashmë propozimin e vet për kryesues, raporton Alsat-M.
Pas heqjes së pikës, tetë këshilltarët e AKI-së u larguan nga seanca në shenjë revolte. Nga AKI deklaruan se tërheqja e pikës është bërë në kundërshtim me rregullat procedurale dhe statutin e Komunës së Strugës.
Një nga kërkesat kryesore të VMRO-DPMNE-së ishte që partia të udhëhiqte Këshillin Komunal, si dhe të merrte pozitën e sekretarit të Komunës.
“Këshilli është organ i pavarur i komunës. Kur të krijohen kushtet për shumicë dhe për zgjedhjen e një kryetari, ajo do të realizohet. Këto çështje diskutohen në nivel partiak dhe do të njoftohet kur të arrihet marrëveshja përfundimtare,” deklaroi Mite Stevoski, këshilltar i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, përbërja aktuale e Këshillit të Strugës është:
AKI – 8 këshilltarë VMRO-DPMNE – 6 VLEN – 4 LSDM – 1 LEVICA – 1 Lista e Ramiz Merkos – 3
Për shkak të mosmarrëveshjeve brenda koalicionit, zgjedhja e kryesuesit vazhdon të mbetet e bllokuar.

