Mbi 20 të punësuar me kontratë pune dhe 58 punëtorë social sezonal janë larguar nga Komuna e Kërçovës
TV21 mëson se 58 punëtorët sezonalë kanë pasur kontrata të vlefshme deri në gusht 2026, ndërsa 20 të tjerë kanë pasur kontrata që skadonin në fund të dhjetorit.
Kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, arsyetoi vendimin duke thënë se kontratat janë ndërprerë para afatit për të vlerësuar se cilët prej punonjësve janë realisht të nevojshëm për administratën.
“Kontratat e punës ishin para përfundimit dhe e bëmë këtë në interes të tyre dhe të Komunës, që të shohim se cilët prej tyre janë të nevojshëm. Besoni, listën mund ta shohim, por unë nuk di se kush janë dhe është më mirë që nuk e di, sepse gjithçka është bërë në mënyrë jo selektive”, deklaroi Jovanovski.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe dega e BDI-së në Kërçovë, e cila e cilësoi shkarkimin e punonjësve si të padrejtë, të motivuar politikisht dhe të bazuar në riorganizim etnik.
“Përkundër këtij realiteti të dhimbshëm, subjektet që mbështesin VMRO-DPMNE-në heshtin ose jetojnë në një univers paralel duke refuzuar të përballen me faktet. Integrimi i shqiptarëve në çdo nivel institucional nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese që nuk mund të negociohet. U bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të rishikojnë me kujdes çdo rast dhe të sigurojnë që vendimet të jenë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale”, thuhet në reagimin e degës së BDI-së në Kërçovë.

