LSM thërret në protesta masive: Kërkohet pagë minimale 600 euro dhe rritje e të gjitha pagave
Beteja për paga më të larta nga e mërkura e ardhshme do të zhvendoset në rrugë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka ftuar punëtorët që të dalin masivisht në protesta, duke kërkuar pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje të të gjitha pagave të tjera.
Nga sindikata thonë se është e papranueshme që pagat e funksionarëve nga muaji shkurt të rriten për 10 për qind, ose nga 200 deri në 300 euro, ndërsa punëtorët nga muaji mars të marrin vetëm 25 euro, sa është harmonizimi ligjor. Sipas tyre, kjo ndodh në një kohë kur pagat në Maqedoni janë ndër më të ulëtat në rajon dhe në Evropë.
Protesta do të nisë më 28 janar në ora 17:00 para ndërtesës së LSM-së, do të vazhdojë para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe do të përfundojë para Qeverisë.
Kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, tha se protesta ka për qëllim t’u dërgojë mesazh institucioneve se punëtorët nuk do të pranojnë më padrejtësi.
“T’u themi se mjaft është dhe se e tepruan. Ajo që ua bëjnë punëtorëve është çnjerëzore. Do të përfundojmë para Qeverisë, e cila për një vit e gjysmë i la punëtorët në harresë dhe nuk ua rriti pagat”, u shpreh Trendafilov.

