LSDM mban Kongresin e 31-të, Filipçe thirrje për mobilizim dhe dalje në terren
Partia opozitare maqedonase LSDM ka mbajtur sot Kongresin e 31-të, ku me një fjalim para delegatëve u drejtua kryetari i saj, Venko Filipçe. Ai theksoi se partia po hyn në një fazë të re mobilizimi, pa hapësirë për përçarje të brendshme.
Filipçe paralajmëroi dalje aktive në terren dhe theksoi se dyert e LSDM-së janë të hapura për të gjithë ata që e duan të mirën e shtetit.
“E di që në të kaluarën ka pasur turbulenca. Disa qëndruan, disa u larguan. Por sot i vëmë pikë përçarjeve. Dyert e LSDM-së janë të hapura për çdo socialdemokrat, për çdo punëtor dhe intelektual. Kush mendon të jetë kalë troje i VMRO-DPMNE-së, le të largohet menjëherë. Nuk kemi luks për ego. LSDM-ja del në terren dhe do të trokasë në çdo derë për ta zgjuar Maqedoninë”, tha Filipçe.
Kreu i LSDM-së nuk kurseu kritikat ndaj pushtetit aktual, veçanërisht për gjendjen ekonomike. Ai akuzoi VMRO-DPMNE-në se, në vend të reformave të premtuara, ka sjellë, sipas tij, grabitje në përmasa të mëdha, tenderë për njerëz të afërt dhe keqpërdorim të fondeve evropiane.
“Kur krijohet buxheti për vitin 2026 me një vrimë prej 2 miliardë eurosh dhe shkohet drejt huamarrjes së re, kjo nuk është gabim, por grabitje e qëllimshme e shtetit. Kjo është krim financiar kundër së ardhmes së fëmijëve”, deklaroi Filipçe, duke shtuar se rritja e çmimeve, energjia e shtrenjtë dhe inflacioni po rëndojnë drejtpërdrejt qytetarët.
Ai theksoi gjithashtu se vendi ndodhet në izolim diplomatik, duke vlerësuar se rruga evropiane është e bllokuar dhe se Maqedonia e Veriut, sipas tij, po shndërrohet në territor të izoluar pa plan dhe vizion të qartë për të ardhmen.

