Lindita Xhaferi është shqiptarja e parë shefe e Administratës për Qarkun e 9-të të Cyrihut
Lindita Xhaferi nga Partia Liberale e Zvicrës është zgjedhur në postin e shefes së administratës për Qarkun e 9-të të Cyrihut.
“Kryebashkiaku dhe zyra e përmbarimit të borxheve të qarkut 9 të Cyrihut është zyra e tretë më e madhe e ekzekutimit të borxheve në kantonin e Cyrihut. Për ta menaxhuar këtë në mënyrë të shkëlqyeshme, unë sjell me vete ekspertizë të mirëbazuar nga përvoja dymbëdhjetëvjeçare në zyrat e përmbarimit të qytetit të Cyrihut dhe një diplomë juridike nga Universiteti i Cyrihut”.
Kështu shkruante në shpalljen e kandidaturës së saj për këtë post Lindita Xhaferi (Dzaferi). Dhe, dje, më 25 shtator, votuesit e Qarkut 9 e kanë zgjedhur politikanen e re me rrënjë nga Maqedonia e Veriut me 4583 vota kundrejt rivales së saj, Coluccia Fabio, nga SP, për të cilën kanë votuar 4’386 veta, shkruan albinfo.ch.
Kompetenca, shkathtësia dhe drejtësia janë vlerat e mia. Vetëm një atmosferë e mirë pune çon në rezultate të mira, prandaj i kushtoj shumë rëndësi punës në grup, mund të lexohet tutje në prezantimin e saj për zgjedhjet e 25 shtatorit.
“Shtëpia ime është Altstetten shumëngjyrëshe. Unë kam lindur këtu si vajza e prindërve të Maqedonisë së Veriut. Që kur isha 15 vjeç, në kohën e lirë mund të më gjenit rregullisht si shitëse në një tezgë tregu në Lindenplatzmarkt”, shkruante tutje politikania shqiptarozvicerane.
Lindita Xhaferi, duke marrë postin e shefes së administratës për Qarkun e 9-të të Cyrihut bëhet shqiptarja e parë në krye të një posti të tillë, në Zvicër.


