Ligji i ri për Arsimin e Lartë: Profesorët universitarë do t’i nënshtrohen rizgjedhjes çdo 7 vjet
Profesorët universitarë nuk do të gëzojnë më automatikisht pozitën deri në pension pas zgjedhjes në titullin profesor i rregullt. Sipas Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, ata do t’i nënshtrohen rizgjedhjes çdo shtatë vjet, përndryshe do t’u ndërpritet marrëdhënia e punës.
Kjo risi, e cila konsiderohet ndër ndryshimet më të rëndësishme në ligjin e ri që pritet së shpejti të dalë për konsultim publik përmes sistemit ENER, u bë e ditur nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Ajo sqaroi se po rikthehet një obligim që më herët ishte shfuqizuar, duke theksuar se fillimisht do të rregullohen kriteret për avancimin akademik. Për profesorët e rregullt, do të aplikohet vlerësim periodik çdo shtatë vjet.
Deri më tani, profesorët e rregullt, pasi fitonin titullin rreth moshës 40-vjeçare, e mbanin atë deri në pension në moshën 67-vjeçare pa asnjë rivlerësim. Me ligjin e ri, kjo praktikë ndryshon, pasi pozita do të kushtëzohet me vlerësime të rregullta profesionale.
Janevska theksoi se kriteret konkrete për rizgjedhjen, si dhe institucionet përgjegjëse për vlerësimin, do të përcaktohen qartë në dispozitat e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë.

