Levica me kandidate për Komunën e Strugës 👇🏻

Partia Levica ka prezantuar kandidatët e saj për kryetarë komunash në Strugë, Tetovë dhe Gostivar.

Në njoftimin e tyre theksohet se kjo parti është e vetmja nga blloku politik maqedonas që merr pjesë në këto zgjedhje lokale me kandidatët e saj.

Për Komunën e Strugës, kandidatja është deputetja aktuale në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Jovana Mojsoska – e diplomuar në Fakultetin e Sigurisë dhe njëkohësisht sekretare e përgjithshme e Levicës. Sipas partisë, përvoja, angazhimi politik dhe përkushtimi i saj personal përbëjnë garanci për mbrojtjen e interesit publik dhe ofrimin e zgjidhjeve konkrete për sfidat e qytetit.

Nga Levica theksojnë se kandidatët e tyre dallohen për kredibilitet, arsimim dhe profesionalizëm, duke u zotuar se komunat do të drejtohen mbi bazë të ideologjisë dhe programit politik, e jo mbi baza etnike, klienteliste apo të korruptuara. Për këtë arsye, partia u bën thirrje qytetarëve që dëshirojnë ndryshime të angazhohen dhe të votojnë për vlera të vërteta në komunat e tyre.