Kërkesa për ekstradimin e Artan Grubit në tre shtete, KOD publikon detaje për kërcënime ndaj tij
Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut ka dërguar kërkesa për ekstradimin e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në tre shtete të ndryshme, raportoi emisioni investigativ KOD në Telma TV.
Sipas raportimit, vendosja e Grubit në arrest shtëpiak më herët ishte mundësuar edhe për shkak të kërcënimeve serioze me jetë ndaj tij. Burime të cituara nga emisioni pretendojnë se kërcënimet kishin ardhur nga persona që ndodheshin në burg, të cilët dyshohet se kishin ofruar para për eliminimin e ish-zyrtarit.
Gazetarët e KOD deklaruan se kanë siguruar informacione për identitetin e personit që dyshohet se ka ofruar shpërblimin dhe për shumën e parave, por këto detaje nuk u bënë publike.
Sipas të njëjtit raportim, Grubi kishte dijeni për këto kërcënime dhe më pas u largua drejt një vendi nga ku, sipas dyshimeve, mund të vinin personat e përfshirë në planifikimin e atentatit.
Emisioni paralajmëroi se në edicionin e ardhshëm do të trajtojë në detaje zhvillimet lidhur me largimin e tij dhe rrethanat e mundshme të një kthimi pas rreth 14 muajsh arratisje.

