Isen Shabani sqaron deklaratën për “çelësat e komunës” në Vrapçisht

Ish-kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, në një intervistë për “Debat21” ka sqaruar deklaratën e tij të bërë më parë lidhur me “çelësat e komunës”, që sipas tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit.

Shabani theksoi se përdorimi i shprehjes “çelësat” kishte një kuptim simbolik dhe lidhej me veprimet që pritet të ndërmarrë Qeveria dhe jo me mbylljen reale të komunës. Ai shtoi se administrata e komunës ka vijuar punën normalisht, ndërsa ai nuk ka qenë më në detyrë, pasi i ka përfunduar mandati katërvjeçar si kryetar.

“Nuk janë mbyllur dyert e komunës, kjo ka qenë vetëm simbolike. Çelësi nënkuptonte atë që do të ndërmarrë Qeveria, ku vet kryeministri paralajmëronte se pret nga KSHZ për mosarritjen e censusit dhe punën e Vrapçishtit, dhe brenda 15 ditësh të emërojë ushtrues detyre,” tha Shabani.

Deklarata e ish-kryetarit synon të qartësojë se çdo veprim administrativ është në përputhje me procedurat ligjore dhe nuk ka pasur ndërprerje të funksionimit të institucionit.