Ilir Demiri shkëputet nga ASH, do të veprojë si deputet i pavarur për riorganizimin e opozitës shqiptare
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës, Ilir Demiri, ka konfirmuar sot se në vijim do të ushtrojë funksionin e tij si deputet i pavarur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ai tha se ky vendim synon krijimin e kushteve për një riorganizim më efikas dhe të qëndrueshëm të opozitës shqiptare.
Burime të TS brenda Kuvendit bëjnë të ditur se Demiri ka dorëzuar zyrtarisht dokumentet për largimin nga grupi parlamentar. Sipas dokumentacionit dhe informacioneve parlamentare, iniciativës së tij pritet t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë nga subjekte të ndryshme opozitare shqiptare, të cilët këtë hap e shohin si mundësi për forcimin e peshës së opozitës në proceset politike dhe institucionale.
Lëvizja e Demirit vlerësohet si një sinjal për dinamika të reja në skenën politike, me potencial për të krijuar një balancë më të fortë ndaj pushtetit aktual. Në ditët në vijim priten zhvillime shtesë dhe deklarata nga deputetë që mund t’i bashkohen kësaj iniciative.

