Ageler: Jam 100% e sigurt se po punohet për ndryshimet kushtetuese

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Ageler, në një intervistë për TV21 deklaroi se është plotësisht e bindur se po bëhen përpjekje aktive për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë thelbësore për të odblokuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Jam 100 për qind e sigurt se po punohet për ndryshimet kushtetuese,” theksoi Ageler.

E pyetur nga gazetari nëse pajtohet me vlerësimet se qeveria nuk po ndërmerr asgjë për këtë çështje, ambasadorja u shpreh:

“Jo, nuk besoj… E di që po punohet me shumë përkushtim në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera evropiane për të gjetur një zgjidhje.”

Ajo nënvizoi se procesi është i ndërlikuar, por megjithatë ekziston angazhim konkret për të nisur hapjen e procedurës.

“Gjithmonë kam thënë se vërtet besoj që ky shtet duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe që kjo të realizohet, proceset duhet të respektohen. Nuk jam pjesë e negociatave, por mund të them me siguri se po zhvillohen bisedime që po e hapin rrugën. Më inkurajon fakti që shoh diskutime aktive për fillimin e procesit. Nuk mjafton vetëm një votim për Kushtetutën,” shtoi Ageler.