Gjorgjievski: Largohen nga puna 371 persona nga “Higjiena Komunale” në Shkup

Administrata e re e qytetit të Shkupit ka nisur një fushatë pastrimi në institucionet publike. Kryetari i Komunës së Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi sot se nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale – Shkup” janë pushuar nga puna 371 punonjës, të cilët për vite me radhë kanë marrë pagë pa u paraqitur fare në vendin e punës, raporton TS.

“Këta janë njerëz që të gjithë ne, qytetarët e Shkupit, i kemi paguar për vite me radhë, ndërsa ata nuk shkonin në punë, por merrnin rrogë. Në të kaluarën bëheshin drama sikur po merreshin masa, por në realitet bëhej vetëm zëvendësim. Në këtë sistem, kushdo që abuzon, do të largohet,” deklaroi Gjorgjievski.

Ai bëri të ditur se po zhvillohet një auditim i plotë në të gjitha ndërmarrjet publike të qytetit dhe se deri më tani është konstatuar që mbi 800 punonjës kanë kryer rregullisht detyrat e tyre të punës, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë fiktivisht të punësuar.

“Këtu keni mbi 800 punonjës që kanë shkuar rregullisht në punë. Por ka edhe të tillë që për muaj, madje edhe për vite, kanë marrë rrogë pa u paraqitur fare. Kësaj i erdhi fundi,” shtoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Burimi: TS