Fatmir Limani: RRUGËT NUK NDALIN IKJEN E RINISË, POR VENDET E PUNËS DHE RROGA E DINJITETSHME

Ja postimi i tij i plotl:

RRUGËT NUK NDALIN IKJEN E RINISË, POR VENDET E PUNËS DHE RROGA E DINJITETSHME

Askush nuk e mohon se rrugët, kanalizimet dhe infrastruktura janë të domosdoshme. Ato e përmirësojnë cilësinë e jetës dhe janë pjesë e zhvillimit të çdo komune me ritëm më të përshpejtuar dhe bashkëkohor. Por sot, pyetja më e rëndësishme nuk është sa kilometra asfalt u shtruan, por sa të rinj arritëm t’i mbajmë në vendlindjet e tyre, për të shkelur me dinjitet rrugët dhe trotuaret e shtruara.

Çdo vit investohen miliona euro në asfalt, trotuare dhe kanalizime. Ndërkohë, autobusët dhe aeroportet mbushen me të rinj që largohen në kërkim të një jete më të mirë. Kjo tregon se problemi ynë nuk është vetëm infrastruktura, por mungesa e një ekonomie që krijon shpresë.
Është mirë që në këtë kohë të fillojmë e mendojmë më ndryshe. Sikur një pjesë e këtyre mjeteve të investohej në dy ose tre fabrika prodhuese, secila me kapacitet prej rreth 300 punëtorësh, do të krijoheshin afro një mijë vende të reja pune. Me këtë lloj mendësie afro një mijë të rinj do të kishin një arsye më shumë për të qëndruar pranë familjeve, për të krijuar jetën e tyre këtu dhe për të ndërtuar të ardhmen në vendin e lindjes.

Një rrugë e re është e dobishme, por nuk e ndal migrimin. Një vend pune, një pagë e sigurt dhe një perspektivë e qartë e bëjnë këtë. Asfalti lidh lagje me lagje, por puna lidh shpirtin dhe zemrën e njeriun me vendin e tij.
Por në këtë periudhë e rëndësishme është mënyra se si menaxhohen fondet publike për zhvillimin ekonomik. Mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të jetë transparente dhe e matshme. Nuk mjafton që vetëm të ndahen mjete, por duhet të dihet se çfarë rezultatash sollën ato. Sa vende pune u hapën ? Sa biznese u zgjeruan ? Sa të rinj mbetën në vend falë këtyre investimeve ? Çdo fond publik duhet të shoqërohet me raporte të qarta dhe me llogaridhënie para qytetarëve.

Nga ana tjetër, nuk është sekret se projektet infrastrukturore, si asfaltimi i rrugëve dhe ndërtimi i kanalizimeve, konsiderohen nga shumë qytetarë dhe organizata si fusha ku ekziston rrezik më i madh për keqpërdorim të fondeve publike, nëse mungojnë transparenca dhe kontrolli. Pikërisht për këtë arsye, çdo investim duhet të jetë plotësisht i hapur për shqyrtim publik, me standarde të larta mbikëqyrjeje dhe përgjegjësie.

Komunat nuk do të mbahen mend për trashësinë e asfaltit që kanë shtruar, por për mundësitë që u kanë krijuar njerëzve të jetojnë me dinjitet. Rrugët janë të rëndësishme, por ato nuk duhet të jenë qëllim në vetvete. Qëllimi është që mbi ato rrugë të ecin njerëz që kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në vendin e tyre, jo vetëm ata që po largohen prej tij.
Zhvillimi nuk matet me kilometra asfalt, por matet me buzëqeshjen e të rinjve që nuk janë detyruar të marrin rrugën e mërgimit.

Një komunë nuk bëhet e pasur kur shton kilometrat e asfaltit, por kur zvogëlon kilometrat që të rinjtë përshkojnë për ta braktisur atë.

Fundja, nuk kemi nevojë vetëm për rrugë që të çojnë deri te kufiri, por kemi nevojë për vende pune që t’u japin të rinjve arsye të mos e kalojnë kufirin për të siguruar një vend pune.

F. B. L.