Fatmir Limani: Ndryshimi i premtuar nuk solli rezultatet e pritura

Fatmir Limani ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kritikuar mënyrën e ushtrimit të pushtetit pas ndryshimeve politike që, sipas tij, u premtuan si alternativë ndaj praktikave të vjetra.

Ai thekson se qytetarët u angazhuan për të sjellë ndryshim dhe për t’i dhënë fund politikave të dëmshme, por pas ardhjes në pushtet, sipas tij, u përsëritën të njëjtat metoda të veprimit, madje në disa raste edhe më të theksuara.

“Në emër të ndryshimit u largua kasta e vjetër politike, ndërsa më pas filloi shpërblimi i atyre që kishin shërbyer për interesat e pushtetit”, shkruan Limani.

Sipas tij, opozita arriti të evidentojë dhe të demaskojë dështimet e qeverisjes së kaluar, duke fituar mbështetjen e qytetarëve për ndryshim.

Postimin e tij ai e përmbyll me mesazhin #ZgjedhjePërZgjidhje, duke lënë të kuptohet se rruga për tejkalimin e situatës aktuale është rikthimi i vendimmarrjes në duart e qytetarëve përmes zgjedhjeve.

Reagimi i Limanit vjen në një periudhë të zhvillimeve të shumta politike dhe debateve të intensifikuara brenda kampit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.