Erdogan do të takohet me Putinin në Kazakistan, thonë zyrtarët turq
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin në margjinat e Samitit të Kazakistanit më 12 tetor.
Agjencia France-Press (AFP) dhe Agjencia shtetërore gjermane DPA më 11 tetor cituan zyrtarët turq të kenë thënë se të dy presidentët do të takohen në Astana gjatë Konferencës mbi Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA).
Konfirmimi i një takimi vjen një ditë pasi zëdhënësi i Kremlinit Dimitriy Peskov tha se të dy udhëheqësit “mund të takohen” në kryeqytetin e Kazakistanit.
Erdogan dhe Putin u takuan për herë të fundit në mes të shtatorit në Uzbekistan në margjinat e samitit të liderëve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, u pozicionua si ndërmjetëse midis Kievit dhe Moskës pas pushtimit rus më 24 shkurt.
Erdogan ka shprehur publikisht shpresën se mund të bashkojë Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedime për t’i dhënë fund luftës. Pas pengesave të mëdha në fushën e betejës muajin e kaluar, ndërsa forcat ukrainase nisën kundërofensiva të suksesshme për të çliruar territoret e pushtuara nga trupat ruse, Putin tha gjatë një fjalimi duke njoftuar se katër rajone ukrainase tani ishin pjesë e Rusisë se Moska ishte “gati” për bisedime me Ukrainën.
Zelensky i hodhi poshtë bisedimet, duke thënë se Ukraina do të bisedonte me presidentin “tjetër” rus, duke lënë të kuptohet se bisedimet mund të rifillojnë vetëm pasi Putini të shkarkohet./slobodnaevropa.mk/.


