Dy persona nxisin zjarr të madh në Ohër pasi dogjën mbeturina pranë një objekti të braktisur
Një zjarr shpërtheu dje rreth orës 14:00 në afërsi të një ish-ndërtese tregtare në rrugën “7 Nëntori” në Ohër, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit. Pas marrjes së raportit, policia dhe ekipet emergjente u angazhuan menjëherë për sqarimin e rrethanave.
Sipas të dhënave fillestare, zjarri u shkaktua nga 55-vjeçari B.S. nga Radovishi dhe 70-vjeçari D.T. nga Ohri, të cilët, pas pastrimit të objektit të braktisur, kishin nxjerrë jashtë letra, dru dhe materiale të tjera, të cilave më pas u kishin vënë flakën. Zjarri është përhapur shpejt, duke kapur zonën përreth ndërtesës.
Njësia Territoriale e Zjarrfikësve e Ohrit ndërhyri në kohë dhe arriti ta lokalizojë zjarrin, duke parandaluar dëme më të mëdha.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj dy personave pritet të ngrihen procedurat përkatëse ligjore.

