Bujar Osmani prezanton programin kundër bullizmit në Çair

Bullizmi në shkolla nuk është problem vetëm i individëve, por një plagë që prek familjet dhe gjithë komunitetin. Me këtë mesazh, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, prezantoi sot programin e tij gjithëpërfshirës për luftën kundër bullizmit, duke paralajmëruar se pas 19 tetorit ky do të bëhet program zyrtar i Komunës së Çairit.

“Ky është një problem që nuk njeh kufij të gjuhës, përkatësisë etnike apo statusit social. Për fat të keq, është një dukuri gjithnjë e më e pranishme dhe për të duhet të ndërtojmë një strategji dhe qasje të posaçme për të mbrojtur fëmijët tanë”, tha Osmani.

Ai theksoi se synimi është që shkollat në Çair të mos jenë vende frike, por hapësira ku, përveç lëndëve mësimore, mësohet mbi tolerancën dhe miqësinë. Programi i Osmanit përfshin:

Parandalimin dhe edukimin përmes punëtorive mbi inteligjencën emocionale, empatinë dhe zgjidhjen e konflikteve me fjalë. Programe për shkrim-lexim digjital, për të adresuar bullizmin në internet. Trajnime për mësuesit për njohjen dhe menaxhimin e rasteve të bullizmit. Rritjen e numrit të psikologëve dhe pedagogëve në shkolla. Linjë anonime për raportim, online dhe telefonike. Protokoll të qartë reagimi për shkollat në rast raportimi të bullizmit. Seminare për prindërit, me qëllim identifikimin dhe adresimin e hershëm të sjelljeve problematike. Përfshirjen e OJQ-ve dhe klubeve sportive, si dhe programe mentorimi me sportistë e artistë të suksesshëm nga Çairi.

Gjithashtu, komuna do të shpallë çdo vit “Ditën kundër bullizmit”, si një ngjarje festive dhe edukative me mesazhin se Çairi është një komunitet që nuk toleron dhunën.

“Ky është një investim në të ardhmen. Nëse duam një komunitet të fortë, duhet të fillojmë me fëmijët tanë. Nga Çairi do të dërgojmë mesazh se lufta kundër bullizmit është luftë për dinjitet, për barazi dhe për një shoqëri më të mirë”, përfundoi Osmani.

Bujar Osmani