Bujar Osmani: “Brukseli dhe Uashingtoni im sot është Çairi”

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, i është drejtuar qytetarëve me një mesazh të qartë dhe emocional, duke theksuar se energjia dhe përkushtimi i tij janë të dedikuara plotësisht për zgjidhjen e problemeve të Çairit.
“Kur isha ministër i Punëve të Jashtme, misioni im ishte Brukseli dhe Uashingtoni. Sot, Brukseli im është Çairi, Uashingtoni im është Çairi”, tha Osmani, duke siguruar qytetarët se të gjitha përvojat dhe njohuritë e tij do të jenë në shërbim të komunës dhe banorëve.
Ai theksoi nevojën për ndryshim të menjëhershëm dhe kritikoi ata që për vite të tëra kanë qenë pjesë e problemeve të Çairit: “Nuk mund ai që për 20 vite ka qenë pjesë e problemit sot të vijë dhe të thotë: ‘Unë jam zgjidhja’”.
Osmani prezantoi prioritetet e tij: higjiena, ndërtimet pa leje, objektet ilegale, parkingjet dhe menaxhimi i kaosit në komunikacion, duke premtuar punë të përditshme dhe përfshirje të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
“Kjo është misioni im. Ky është motivi pse jam futur në këtë garë. Ditë e natë do të punoj për Çairin, por për këtë më duhet mbështetja juaj. Bëhuni forca ime”, përfundoi Osmani.

