BDI konfirmon mbështetjen për Valbon Limanin dhe Isen Shabanin në zgjedhjet lokale

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, në mbledhjen e sotme, miratoi vendimin për të riafirmuar mbështetjen e plotë të BDI-së – si pjesë themeluese e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim – për kandidatët e këtij koalicioni në zgjedhjet lokale në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit.

Këshilli konfirmoi përkrahjen unanime për:

• Valbon Limanin, kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit

• Isen Shabanin, kandidat për kryetar të Komunës së Vrapçishtit

Sipas BDI-së, këto kandidatura pasqyrojnë seriozitetin, përkushtimin dhe vizionin e koalicionit për zhvillimin lokal dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në vendimin e miratuar, theksohet se rezultatet e zgjedhjeve të kaluara treguan një epërsi të qartë dhe bindëse të Aleancës Kombëtare për Integrim, e cila u arrit falë angazhimit në terren, punës së koordinuar dhe mbështetjes së gjerë popullore. Këshilli vlerëson se ky avantazh pritet të rritet edhe më tej, bazuar në besimin e qytetarëve.

BDI thekson se do të angazhohet me të gjitha kapacitetet politike, organizative dhe njerëzore për të siguruar fitoren e kandidatëve në Gostivar dhe Vrapçisht, në funksion të interesit të qytetarëve dhe të vizionit për integrim euroatlantik dhe zhvillim të qëndrueshëm.